Përshkrimi i projektit

Përgjithësisht

Ky projekt është frymëzuar nga puna e vazhdueshme e disa kolegëve mbi përshkrimin gramatikor të teksteve të shkruara në gjuhën e vjetër shqipe dhe nga puna aktuale mbi etimologjinë e shqipes. Falë financimit bujar 4-vjeçar SNF(100012_208245; CHF 916’708,-), ne mund të adresojmë tanimë sistematikisht disa nga pyetjet kërkimore më urgjente: mungesa e rindërtimit të plotë dhe të besueshëm të proto-shqipes, mospasja e një konsensusi në lokalizimin e proto-shqipes në kohë së vend, dhe nevoja për një vështrim të saktë të huazimeve të para në dhe nga proto-shqipja. Së fundmi, projekti ynë synon të përcaktojë se si pararendësja e gjuhës shqipe dukej në antikitet dhe ku kjo gjuhëpararendëse mund të jetë folur.

 

Shqipja

Gjuha shqipe formon një degë të vetme në familjen e gjuhëve indo-europiane. Përveç greqishtes dhe gjuhëve romane, shqipja është e vetmja pasardhëse e gjuhëve të folura në Ballkan gjatë antikitetit e cila ka mbijetuar deri në ditët e sotme. Duke qenë se teksti i parë koherent në gjuhën shqipe daton në 1555, aksesi ynë kryesor në historinë e gjuhës është nëpërmjet rindërtimit gjuhësor dhe studimit të fjalëve të hershme të huazuara nga dhe te shqipja. Këto fjalë të huazuara kanë hyrë në gjuhë si rezultat i kontaktit të folur midis shqipes dhe greqishtes, latinishtes dhe rumanishtes (tri gjuhët te të cilat do të përqendrohemi në këtë projekt), më pas nëpërmjet gjuhëve sllave jugore, turqishtes dhe italishtes.

 

Periodization of Albanian

Metodat

Metodat shkencore të përdorura do të jenë: rindërtimi gjuhësor krahasues dhe kontakti gjuhësor. Rindërtimi gjuhësor krahasues konsiston në dy hapa: 1. Rindërtimi i brendshëm gjuhësor, i cili rezulton nga krahasimi i dy dialekteve të vjetra gegë dhe toskë, mundëson përafërsisht një version të parë të proto-shqipes; 2. Krahasimi i mëtejshëm i shqipes së vjetër dhe proto-shqipes me gjuhë të tjera indo-europiane (dhe progjuhët e tyre respektive) na mundëson korrigjimin dhe definimin e rezultateve të hapit të parë. Përsa i përket kontaktit gjuhësor, projekti ynë përqendrohet në korrespondencat leksikale dhe gramatikale midis shqipes dhe latinishtes, shqipes dhe (gjuhëve të ndryshme të) rumanishtes, dhe shqipes dhe (fazave të ndryshme të) greqishtes.

Titelseite Dictionarium Latino-Epiroticum aus 1635

Organizimi

Ky projekt kërkimor është i ndarë në tri nënprojekte komplementare, të cilat do të zhvillohen nga studiuesi PD Dr. Sergio Neri dhe nga dy studentë të doktoratës Gerard Spaans dhe Alexander Robert Herren:

NP1 (Sergio Neri): Elaborimi i një rindërtimi të plotë të proto-shqipes dhe elaborimi i një kronologjie relative të fjalëve latine të huazuara në gjuhën shqipe.

NP2 (Gerard Spaans): Studimi i kontaktit gjuhësor midis greqishtes dhe shqipes në antikitet dhe në mesjetën e hershme.

NP3 (Alexander Herren): Studimi i kontaktit gjuhësor midis rumanishtes dhe shqipes në mesjetë.

NP4 (i gjithë ekipi): Krijimi i një korpusi me fjalë të hershme të huazuara në gjuhën shqipe, të cilat do të përfshihen në projektin e MynihutDigitales philologisch-historisches Wörterbuch des Altalbanischen (15.–18. Jh.). < https://www.dpwa.gwi.uni-muenchen.de/>

Rezultatet i projektit do të grumbullohen në një monografi akademike (ose një seri artikujsh më të gjatë) për rindërtimin e proto-shqipes, dy teza doktorature (për greqishten dhe rumanishten si gjuhë kontakti për shqipen), disa artikuj ndërkombëtarë dhe mbajtje konferencash. Mes të tjerash, do të krijojmë një databazë etimologjike të korrespondencave leksikale midis latinishtes e shqipes, shqipes e rumanishtes, dhe shqipes e greqishtes, e cila do të komplementojë databazën etimologjike të Mynihut të shqipes së vjetër.

 

Për detaje të mëtejshme, ju lutemi kontaktoni studiuesin kryesor Michiel de Vaan (michiel.devaan@clutterunibas.ch)